Respektimi i të drejtave të fëmijëve nga media

Të miturit janë një pjesë mjaft e rëndësishme por njëkohësisht delikate e shoqërisë. Por nëse shoqëria ku jetojmë shpesh herë harron të permbahet në sjelljen kundrejt tyre, media duhet të jetë një dritare edukimi e promovimi i të drejtave të fëmijëve, gjithashtu duhet të tregohet etike në aspektin e trajtimit të temave me përmbajtje minorenët. Por kjo nuk do të thotë që abuzime nga kjo e fundit nuk ndodhin, përkundrazi janë të shumta rastet ku të drejtat e fëmijëve që i takojnë me ligj shkelen. “Ekspertët e mjeksisë ligjorë kanë përfunduar ekzaminimin për 6-vjeçaren e dhunuar në Kamëz nga babai i saj.” “ Por pavarësisht se nuk ka dhunë seksuale, 27-vjeçari Raimond Kunoraj, babai i vajzës, do të hetohet dhe gjykohet për akuzën e dhunimit të të miturit, akuzë e cila dënohet nga 10 deri në 20 vite burg.” Lajmi i shkëputur mësipër, i publikuar nga “Faktor.al”, ka shkelje të drejtpërdrejtë të privatësisë së të miturës dhe zbulon haptazi emrin e të atit të saj. Bazuar në të gjitha legjislacionet kombëtare dhe ndërkombëtare (Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, Konventa mbi të Drejtat e Fëmijës, Konventa e Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Fëmijëve kundër Shfrytëzimit dhe Abuzimit Seksual, Ligji Nr. 97/2013 Për Mediat Audiovizive në Rep. e Shqipërisë) që në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, përfshihen parimet bazë që mediat duhet të kenë në vëmendje dhe të respektojnë me rigortozitet gjatë punës së tyre. Ndër ato vlejnë të përmenden: Në ҫdo publikim media duhet të ketë në fokus interesin më të lartë të fëmijës. E drejta për t’u mos diskriminuar. E drejta e fëmijës për t’u dëgjuar. Mbrojtja e privatsisë së fëmijës dhe respektimi i jetës private, familjare, banesës e korrespondencës. Mbrojtja e të miturit nga cënimi i paligjshëm i moralit dhe i dinjitetit. Riaftësimi dhe integrimi në shoqëri i ҫdo fëmije i cili është viktimë e një ngjarje të rëndë. Identifikimi në mënyrë direkte apo indirekte i fëmijëve në media ndëshkohet me ligj dhe nuk duhet nënvlerësuar por duhet të denoncohet menjëherë në institucionet përkatëse. Për të raportuar raste konkrete drejtohuni te: Avokati i popullit, Komisioneri për të drejtën e informimit dhe mbrojtjen e të dhënave personale dhe Komisioneri për mbrojtjen nga diskriminimi.