Fenomeni i vjedhjes së të dhënave personale “Vjedhja e identitetit”

Rrjeti dixhital është një “bankë” botërore e ruajtjes së të dhënave të ҫdo personi që akseson në të qoftë edhe një herë të vetme. Por sa e sigurtë është kjo “bankë” , pse shpeshherë dëgjojmë vjedhje të identitetit dhe si mund të mbrohemi nga kjo? Duhet të dimë që vjedhja e identitetit të një personi bëhet në mënyrë të qëllimshme, zakonisht për përfitime personale të “vjedhësit”, në llogari të viktimës. Personi, identiteti i të cilit është vjedhur mund të mbahet si përgjegjës për veprimet e paligjshme të cilat i ka kryer dikush tjetër (vjedhësi) në emër të tij. Vjedhje e identitetit quhet kur dikush vjedh të dhënat tuaja personale si: emrin, datën e lindjes,numrin personal dhe jo vetëm, me qëllim që të hapë llogari bankare, të marrë hua apo kredi në emrin tënd apo të marrë nën kontroll llogarinë tënde duke u shtirur sikur jeni ju. Vendi ynë është shembulli më konkret i vjedhjes së të dhënave personale, me rastin më të fundit të publikimit të të dhënave të cdo shtetasi shqiptar në rrjetet sociale. Ngjarje e cila edhe pse solli shumë debate dhe hipoteza se si kjo mund të kishte ndodhur, ka mbetur ende një pikëpyetje e madhe e pashpjeguar. Por ndryshe nga rasti i mësipërm ku lajmi i shpërndarjes së të dhënave mori dhenë, shumicën e rasteve, viktima e kupton me vonesë që i është vjedhur identiteti. Kjo zakonisht ndodh kur i vjen ndonjë faturë e shpenzimeve të bëra apo has ndonjë ndalesë për vepra që nuk i ka bërë, apo edhe më keq, t’i regjistrohet në polici ndonjë dosje kriminale. Mënyrat se si mund të ju vidhet identiteti janë të shumta, psh: Ekspozimi i të dhënave nga serverët e ofrueseve të shërbimit (yahoo, google, facebook etj.) ku ju keni llogari të hapur, Pirateria kompjuterike (hulumtimi i koshit të mbeturinave, shikimi i fjalëkalimeve prapa shpinës së viktimës, mashtrimi me e-mail, e-mailat e padëshiruar etj.), Infektimi me malware i kompjuterit tuaj, Vjedhjet e kartave të kreditit, Vjedhja e telefonave mobil, Vjedhja përmes instalimit të skanerëve në bankomate(ATM) të cilët skanojnë PIN-in tuaj dhe të dhënat e kartelës tuaj etj. Ndoshta juve ju duket e pabesueshme, por për të vjedhur të dhënat e identitetit tuaj, një keqbërës hulumton madje edhe shportën ku ju i hidhni mbeturinat me shpresë që mund të gjendet ndonjë dokument, kartë apo letër që e keni hedhur e që mund të përmbajë informacione të vlefshme për vjedhësin. Vjedhja e identitetit ndahet në disa kategori. Qendra e Burimit të Vjedhjes së Identitetit, një organizatë jo-fitimprurëse në SHBA, i kategorizon këto në pesë kategori më të mëdha: -Vjedhja e identitetit kriminal (bën një vepër kriminale duke u paraqitur si dikush tjetër) -Vjedhja e identitetit financiar (përdorimi identitet të rremë derisa të merr një kredi, ndonjë të mirë materiale apo ndonjë shërbim) -Klonimi i identitetit (përdorimi i të dhënave të tjetrit për t'u paraqitur si ai në jetën e përditshme) -Vjedhja e identitetit mjekësor (përdorimi identitetin e dikujt tjetër për vizita mjekësore apo për të blerë medikamente) -Vjedhja e identitetit të fëmijëve (që të shfrytëzojnë privilegjet që i takojnë dikujt tjetër për fëmijët e vet). Të qenit viktimë e vjedhjes së identitetit u shkakton humbje financiare, dëmtim të kredisë tuaj, ankth emocional dhe u nevojitet kohë dhe energji që ta ktheni identitetin tuaj. Nëse mendoni se jeni viktimë e vjedhjes së identitetit duhet të veproni menjëherë. Në mënyrë që të minimizoni humbjet, lajmëroni menjëherë organet e rendit dhe ofruesit e shërbimit: -bankën, nëse u është vjedhur karta e bankës -shërbimin postar, nëse u është vjedhur telefoni me numër -shpallini të pavlefshëm dokumentet e identifikimit nëse u janë vjedhur Disa masa parandaluese që ne ju rekomandojmë janë: të keni kujdes me të dhënat tuaja gjatë gjithë kohës, sidomos në rrjetet sociale. Mos i jepni dikujt të dhënat që ju identifikojnë, vetëm në rast se kjo është absolutisht e domosdoshme. Kontrolloni rregullisht të dhënat tuaja, sidomos ato bankare që të shihni lëvizjet e shifrave. Vjedhësit dinë të maskohen duke vjedhur shuma të vogla por të vazhdueshme. Grisni (në grirëse) kartat bankare apo dokumentet e identifikimit që kan skaduar, mbani kartat në vend të sigurt – mos i mbani me vete kartat që nuk do t’i përdorni dhe mos iu përgjigjni e-mailave të padëshiruar apo spam të cilët kërkojnë nga ju të jepni shënimet tuaja në shkëmbim të ndonjë shërbimi. Gjatë futjes së PIN në bankomate, sigurohuni që nuk ka mjete përgjimi në bankomate si dhe mbuloni me dorë pjesën e numrave gjatë shtypjes së tyre - mund të jetë e vendosur ndonjë kamerë sipër tastaturës. Më sipër përmendëm disa mënyra se si mund të vidhet identiteti dhe disa mënyra si të mbroni identitetin tuaj. Siguruisht që ka më tepër se kaq. Ky artikull është menduar të ndërgjegjësojë përdoruesit e medias dixhitale dhe për t’i dhënë rëndësinë e duhur mbrojtjes së identitetit tuaj nga vjedhja.